Secondary Adv

Hekurudha Vorë–Hani i Hotit, 16 kompani nga Evropa dhe Azia në garë për projektin 368 mln euro

Interesi për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit ka qenë i lartë, me 16 kompani ndërkombëtare që garojnë për projektin strategjik prej 368 milionë eurosh.

Faza e parë e tenderit drejt përfundimit

Sipas burimeve nga TV SCAN, faza e parakualifikimit për tenderin e linjës hekurudhore pritet të përfundojë brenda këtij muaji, pas miratimit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Projekti ka ngjallur interes të gjerë me pjesëmarrjen e kompanive nga Turqia, Italia, Kina dhe India, si dhe konsorciume të përbashkëta (joint venture) që kombinojnë kapacitetet teknike dhe financiare për të përmbushur kërkesat e tenderit.

 

Procesi i prokurimit dhe afatet

Procedura e prokurimit publik u hap nga BERZH në dhjetor 2024, ndërsa afati i aplikimeve u shty nga 24 janari në 24 shkurt 2025. Pas përfundimit të fazës së parakualifikimit, kompanitë e përzgjedhura do të dorëzojnë ofertat teknike dhe financiare, me synim që kontrata të lidhet brenda vitit të ardhshëm. Autoritetet synojnë që të gjitha fazat e prokurimit të përfundojnë deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.

 

Projekti dhe rëndësia e tij

Linja Vorë–Hani i Hotit, me vlerë 368 milionë euro, është një nga projektet më të mëdha të transportit hekurudhor në Shqipëri. Ajo bashkëfinancohet nga BERZH, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe një grant nga Bashkimi Europian. Punimet parashikojnë rehabilitimin e 120 kilometrave hekurudhë ekzistuese, duke mundësuar shpejtësi deri në 120 km/orë dhe përmirësuar ndjeshëm lidhjet transportuese me Malin e Zi dhe rajonin.

Burimi: ScanTV.al


Më të lexuarat